Bad Advertisement? News / Reviews: Are you a Christian? Online Store: | ALBANIAN BIBLE - LUKE 1PREVIOUS CHAPTER - NEXT CHAPTER - HELP1:1 Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, 1:2 ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, 1:3 m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, 1:4 që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar. 1:5 Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë. 1:6 Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit. 1:7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë. 1:8 Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet, 1:9 sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin. 1:10 Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit. 1:11 Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit. 1:12 Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika. 1:13 Por engjëlli i tha: ``Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t`ia vësh emrin Gjon. 1:14 Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. 1:15 Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s`ëmës. 1:16 Dhe do t`i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. 1:17 Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t`i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t`ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë``. 1:18 Dhe Zakaria i tha engjëllit: ``Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë``. 1:19 Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: ``Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira. 1:20 Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre``. 1:21 Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit. 1:22 Por, kur doli, nuk mundi t`u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë. 1:23 Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet. 1:24 Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte: 1:25 ``Ja ç`më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve``. 1:26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, 1:27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. 1:28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: ``Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë``. 1:29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. 1:30 Dhe engjëlli i tha: ``Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 1:31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus. 1:32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t`i japë fronin e Davidit, atit të tij; 1:33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur``. 1:34 Dhe Maria i tha engjëllit: ``Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?``. 1:35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ``Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. 1:36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, 1:37 sepse me Perëndinë asgjë s`është e pamundshme``. 1:38 Atëherë Maria tha: ``Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate``. Dhe engjëlli u largua prej saj. 1:39 Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë, 1:40 dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën. 1:41 Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, 1:42 dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ``Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. 1:43 Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? 1:44 Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. 1:45 Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!``. 1:46 Dhe Maria tha: ``Shpirti im e madhëron Zotin, 1:47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, 1:48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, 1:49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! 1:50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë. 1:51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; 1:52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit; 1:53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. 1:54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, 1:55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë``. 1:56 Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet. 1:57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë. 1:58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të. 1:59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t`ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij; 1:60 por e ëma ndërhyri dhe tha: ``Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon``. 1:61 Dhe ata i thanë: ``S`ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër``. 1:62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t`i quhej. 1:63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: ``Emri i tij është Gjon``. Dhe të gjithë u mrrekulluan. 1:64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë. 1:65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë. 1:66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: ``Vallë kush do të jetë ky fëmijë?``. Dhe dora e Zotit ishte me të. 1:67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë: 1:68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet; 1:69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, 1:70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë 1:71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë, 1:72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t`u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, 1:73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, 1:74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t`i shërbejmë pa frikë, 1:75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë. 1:76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij, 1:77 për t`i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre; 1:78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar, 1:79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes``. 1:80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t`i zbulohej Izraelit. GOTO NEXT CHAPTER - BIBLE INDEX & SEARCH |