Bad Advertisement?

News / Reviews:
  • World News
  • Movie Reviews
  • Book Search

    Are you a Christian?

    Online Store:
  • Visit Our eBay Store



  • ALBANIAN BIBLE - NUMBERS 4

    PREVIOUS CHAPTER - NEXT CHAPTER - HELP


    4:1 Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

    4:2 "Numëroni bijtë e Kehathit, midis bijve të Levit, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,

    4:3 nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, të të gjithë atyre që hyjnë në shërbim për të punuar në çadrën e mbledhjes.

    4:4 Ky është shërbimi i bijve të Kehathit në çadrën e mbledhjes, që ka të bëjë me gjërat shumë të shenjta.

    4:5 Kur kampi duhet lëvizur, Aaroni dhe bijtë e tij do të vinë për të hequr velin e ndarjes dhe do të mbulojnë me të arkën e dëshmisë;

    4:6 pastaj do të vënë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, do të shtrijnë mbi të një cohë krejt ngjyrë vjollce dhe do të fusin në të shtizat e saj.

    4:7 Do të shtrijnë një cohë ngjyrë vjollce mbi tryezën e bukëve të paraqitjes dhe do të vënë mbi të pjatat, gotat, legenët dhe kupat e libacioneve; mbi të do të jetë edhe buka e përjetshme.

    4:8 Mbi këto gjëra do të shtrijnë një cohë të kuqe të ndezur dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, dhe do të fusin në të shtizat.

    4:9 Pastaj do të marrin një mbulesë ngjyrë vjollce, me të cilën do të mbulojnë shandanin e ndriçimit, llambat e tij dhe gërshërët e tij, të gjitha enët e vajit të caktuara për shërbimin;

    4:10 pastaj do ta vënë shandanin me të gjithë veglat e tij në një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do ta vendosin mbi një bartinë.

    4:11 Do të shtrijnë mbi altarin prej ari një pëlhurë ngjyrë vjollce dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat.

    4:12 Pastaj do të marrin të gjitha veglat e shërbimit që përdoren në shenjtëroren, do t`i fusin në një cohë ngjyrë vjollce, do t`i mbështjellin me një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do t`i vendosin mbi një bartinë.

    4:13 Pastaj do të heqin hirin nga altari dhe do të shtrijnë mbi të një cohë të kuqe;

    4:14 mbi të do të vendosen të gjitha veglat që përdoren për shërbimin e tij, mangallet, mashat, lopatëzat, legenat, të gjitha veglat e altarit; do të shtrijnë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat.

    4:15 Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kehathit do të vijnë për t`i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë.

    4:16 Eleazari, bir i priftit Aaron, do të ngarkohet me vajin e shandanit, me temjanin aromatik, me ofertën e përjetshme të ushqimit dhe të vajit të vajosjes; ai do të ngarkohet edhe me tërë tabernakullin dhe tërë gjërat që përmban ai, me shenjtëroren dhe pajisjet e saj".

    4:17 Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

    4:18 "Kini kujdes që klani i familjeve të Kehathitëve të mos shfaroset në mes të Levitëve;

    4:19 bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t`i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij.

    4:20 Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin".

    4:21 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

    4:22 "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre.

    4:23 Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes.

    4:24 Kjo është detyra e familjeve të Gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin:

    4:25 do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes,

    4:26 perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç`të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë.

    4:27 Tërë shërbimi i bijve të Gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t`u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin.

    4:28 Ky është shërbimi i familjeve të Gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t`i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron.

    4:29 Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre;

    4:30 do të bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbime.

    4:31 Kjo është ajo që i është besuar përgjegjësisë së tyre në pajtim me gjithë shërbimin e tyre në çadrën e mbledhjes; dërrasat e tabernakullit, traversat, shtyllat dhe bazat e tij,

    4:32 shtyllat që ndodhen rreth e rrotull oborrit, bazat e tyre, kunjat e tyre, litarët e tyre, me të gjitha veglat e tyre dhe tërë shërbimet që këto gjëra përmbajnë; dhe do t`i caktoni secilit personalisht objektet që duhet të mbajë.

    4:33 Ky është shërbimi i familjeve të bijve të Merarit, në pajtim me detyrat e tyre në çadrën e mbledhjes, nën urdhërat e Ithamarit, birit të priftit Aaron".

    4:34 Moisiu, Aaroni dhe prijësit e asamblesë kryen, pra, regjistrimin e bijve të Kehathitëve në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,

    4:35 e të gjithë atyre që nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri pesëdhjetë vjeç hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes.

    4:36 Ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë.

    4:37 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni bënë regjistrimin e tyre simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.

    4:38 Ata që u regjistruan nga bijtë e Gershonit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,

    4:39 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes;

    4:40 ata që u regjistruan në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ishin dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë.

    4:41 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Gershonit, të gjithë ata që bënin shërbim në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni kryen regjistrimin e tyre simbas urdhrit të Zotit.

    4:42 Ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,

    4:43 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes;

    4:44 ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin tre mijë e dyqind.

    4:45 Këta janë ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit; ata që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni, simbas urdhërit të Zotit të dhënë me anë të Moisiut.

    4:46 Të gjithë ata që u regjistruan nga Levitët, që Moisiu, Aaroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,

    4:47 nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer dhe për të mbajtur pesha në çadrën e mbledhjes;

    4:48 ata që u regjistruan ishin tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë.

    4:49 Ata u regjistruan, simbas urdhrit të Zotit për Moisiun, secili në bazë të shërbimit që duhet të bënte dhe të asaj që duhet të mbante. Kështu ata u regjistruan nga ai, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

    GOTO NEXT CHAPTER - BIBLE INDEX & SEARCH

    God Rules.NET
    Search 100+ volumes of books at one time. Luther Bible Search Engine. Elberfelder Bible Search Engine. German SCH Bible Search Engine