10:1 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t`i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
10:2 Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;
10:3 Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;
10:4 Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.
10:5 Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: ``Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,
10:6 por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
10:7 Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".
10:8 Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.
10:9 Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,
10:10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.
10:11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.
10:12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.
10:13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.
10:14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.
10:15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.
10:16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.
10:17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t`ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t`ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.
10:18 Dhe do t`ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.
10:19 Dhe, kur t`ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t`ju jepet se çfarë duhet të thoni;
10:20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.
10:21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t`i vrasin.
10:22 Dhe të gjithë do t`ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.
10:23 Por kur do t`ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.
10:24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
10:25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t`i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!
10:26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.
10:27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.
10:28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t`ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.
10:29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.
10:30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.
10:31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.
10:32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.
10:33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej``.
10:34 ``Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.
10:35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,
10:36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.
10:37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.
10:38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
10:39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.
10:40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
10:41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.